Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Maqellarë, ku një 27 vjeçar ka vdekur pasi është qëlluar me armë gjahu çifte nga shoku i tij teksa kishin dalë për gjueti.

Rreth orës 14:45, në vendin e quajtur “Malet e Obokut”, Rifat Xheleshi 18 vjeç dhe Gentian Kosiqi (viktima) 27 vjeç, kishin dalë për gjueti. Xheleshi, dyshohet se nga pakujdesia ka plagosur me armë gjahu çifte shokun e tij Gentian Kosiqi, banues në Maqellarë. Si pasojë e plagëve të marra 27 vjeçari ka humbur jetën në spital.

Menjëherë më pas autori është vënë në pranga dhe policia po e merr në pyetje për të zbardhur ngjarjen e plotë, e cila dyshohet se ka qenë aksidentale. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e gjahut çifte, me të cilën është vrarë viktima.

Ndërkohë kujtojmë se një rast i ngjashëm ka ndodhur më 26 nëntornë qytetin e Bulqizës, ku mbeti i vrarë Elidon Basha, 22-vjeç, teksa kishte dalë për gjueti me mikun e tij. Ajo që nisi si gjueti mes dy të rinjve, Klodian Kolës dhe Elidon Bashës përfundoi në vrasjen e këtij të fundit me anë të një kallashnikovi.

Njoftimi i policisë:

Dyshohet se nga pakujdesia plagosi me pasojë vdekjen shokun e tij, Policia shoqëron në Komisariat autorin e dyshuar. Sekuestrohet arma e gjahut çifte. Rreth orës  14:45, në vendin e quajtur “Malet e Obokut”, Maqellarë, shtetasit R. XH. dhe G. K, kanë qenë për  gjueti.   Shtetasi R. XH., 18 vjeç dyshohet se nga pakujdesia ka plagosur me armë gjahu çifte shtetasin G. K., rreth 27 vjeç, banues në Maqellarë, i cili ka humbur jetën në spital.

Menjëherë shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë shoqërimin e autorit të dyshuar në Komisariat, për veprime të mëtejshme hetimore, si dhe kanë  sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e gjahut çifte.