
Ndodhi ajo që ishte paralajmëruar, ura me harqe e njohur si Ura e Zogut në Milot, është drejt shembjes së plotë. Mat Televizion e ka ngritur shpesh shqetësimin e jo vetëm të qytetarëve por edhe të ekspertëve që gërryerjet e këmbave të kësaj ure kanosnin një rrezik të madh për të, deri në shembjen totale. Uji i rrëmbyeshëm i lumit Mat pak ditë më parë, ka shkaktuar dëmtimin e këmbëve të kësaj ure, pasi elementët prej betoni ishin hequr me kohë. Situata shqetësuese ishte paraqitur në të dy anët e kësaj ure, por tashmë ka pësuar një ulje në afro 1 metër edhe në mesin e saj. Ura me 5 harqe është në inventarin e Ministrisë së Kulturës si një monument i kategorisë së veçantë. Ekspertët dhe banorët kanë ngritur alarmin duke i bërë thirrje Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe vetë Ministrisë së Kulturës të marrin masa të menjëhershme.
Kjo urë e ndërtuar në vitin 1927 është nga veprat e para moderne të shekullit XX, të cilën e bën të veçantë gjatësia dhe sidomos struktura e saj arkitekturore, stili i harqeve, që i japin asaj vlerë monumentale e muzeore. E pagëzuar me emrin Ura e Zogut, pasi vetë mbreti ishte ideatori i ndërtimit të saj, ura ishte shumëfunksionale, sidomos për kohën. Ato vite ajo ishte një portë e domosdoshme për të hyrë në Shqipërinë e epërme që përfshin Shkodrën, Lezhën, Mirditën, Tropojën, Kukësin, Pukën etj. Ura është projektuar nga një inxhinier italian Martini dhe pothuajse e gjithë baza materiale u soll nga italianët. Zbatimi i projektit u bë nga një inxhinieri shqiptar, Gjovalin Gjadri, inxhinier që ka projektuar rrugën edhe automobilistike Milot – Burrel. Sot 94 vite pas ndërtimit të saj, kjo urë e cila ka një vlerë të jashtëzakonshme muzeale me apo padashje, po lejohet të degradohet deri në rrënim të plotë.