Dyndje drejt MV për tu furnizuar me karburant
Çmimi i lartë i naftës në vendin tonë vijon të shkaktojë dyndje të qytetarëve shqiptarë drejt vendeve fqinje që e kanë shumë më lirë litrin e naftës se tek ne. Në doganën e Bllatës, që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut, çdo ditë krijohet radhë e gjatë për shkak të numrit të lartë të automjeteve që dalin në shtetin fqinj për të mbushur makinat e tyre me naftë. Të gjithë banorët e Dibrës dhe Bulqizës i drejtohen karburanteve të Maqedonisë së Veriut sa herë kanë nevojë për të furnizuar automjetet e tyre. Jo vetëm në doganë e Bllatës ka radhë por edhe në karburantet në Dibër të Madhe radha e makinave me targa të Shqipërisë është shumë e madhe. Çmimi i një litri nafte në Maqedoninë e Veriut aktualisht shitet me 150 lekë ndërsa në vendin tonë me uljen e ditës së sotme nga bordi i transparencës shitet me 220 lekë, 72 lekë më shtrenjtë. Në Malin e Zi një litër naftë aktualisht shitet me 1.55 euro ose 148 lekë. Pra edhe qytetarët e Malit të Zi e marrin 74 lekë më lirë se qytetarët shqiptarë. Edhe në Kosovë litri i naftës është 1.80 euro, ose 172 lekë, pra 48 lekë më lirë se në Shqipëri.