Dy pallate në Bulqizë mbeten të pabanueshme edhe pas gjashtë vitesh nga tërmeti i vitit 2019

Dy pallate në Bulqizë mbeten të pabanueshme edhe pas gjashtë vitesh nga tërmeti i vitit 2019

Në qytetin e Bulqizës, edhe pse kanë kaluar gati gjashtë vite nga tërmeti i vitit 2019, dy pallate vazhdojnë të jenë të dëmtuara dhe të pabanueshme. Njëri prej tyre ndodhet në qytetin e ri, ndërsa tjetri në qytetin e vjetër. Nga këto dëmtime janë prekur gjithsej 33 familje — 15 në pallatin e qytetit të ri dhe 18 në atë të qytetit të vjetër.

Banorët shprehen të zhgënjyer nga mungesa e një zgjidhjeje përfundimtare dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet. Ata thonë se jetesa në këto kushte është e vështirë dhe se shumë familje janë detyruar të shpërngulen drejt Tiranës, Durrësit apo edhe jashtë vendit.

Specialistë të fushës, përfshirë inxhinierë dhe gjeologë, pas inspektimeve në terren theksojnë se zona ka nevojë për një studim të detajuar, pasi çdo vit vërehen lëvizje dhe ndryshime gjeologjike që mund të ndikojnë në stabilitetin e ndërtesave.

Ndërkohë, përfaqësues të Bashkisë Bulqizë bëjnë me dije se familjeve të prekura u është paguar bonusi i qirasë dhe se institucionet lokale janë në pritje të përgjigjes përfundimtare nga Instituti i Gjeologjisë për të nisur ndërhyrjet e nevojshme në terren.