Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda i Kërkohet Dorëheqja pas Djegies së Ish-Vilës së Diktatorit
Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i është kërkuar dorëheqja. Kjo vjen pas kapjes komplet në befasi dhe të papërgatitur të Policisë së Shtetit dhe Policisë së Tiranës, gjatë djegies nga mbështetësit e opozitës të ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha.
Shqetësimi është shfaqur nga vetë ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, e cila mësohet se ka zhvilluar paraditen e së dielës një mbledhje urgjente analizuese me kabinetin e saj, për mënyrën e menaxhimit nga policia të protestës së opozitës.
Burime jo zyrtare flasin gjithashtu edhe për shkarkimin e drejtorit të Policisë së Tiranës, Elton Alushi.
Gjithsesi, fjalën e fundit për shkarkimin e Ilir Prodës pritet ta thotë kryeministri Edi Rama, që sipas ligjit është emëruesi dhe shkarkuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Një oficer karriere, Ilir Proda e mori drejtimin e Policisë së Shtetit më 3 tetor 2024. Ai është drejtori i radhës në Policinë e Shtetit që nuk mundi dot ta çojë deri në fund mandatin e plotë.
Prej marrjes së detyrës, Proda u përball me akuza të forta nga opozita, por asnjëherë nuk u bashkëshoqërua me prova. Një prej akuzave të opozitës ishte edhe marrja e telefonit të Ilir Prodës prej SPAK-ut, por në janar 2026 zyrtarisht BKH tha se nuk ia kishte sekuestruar telefonin.
Besohet se Policia e Shtetit, deri në zgjedhjen e drejtorit të ri, në këtë fazë tranzitore pritet të drejtohet prej Sokol Bizhgës.