Drejtori i Përgjithshëm i Doganave ndalet në Bllatë, monitoron lëvizjen dhe lajmëron investimin 1.7 mln euro
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja ka monitoruar këtë të enjte pikat doganore të Qaf Thanës dhe Ballatës në Dibër për të parë nga afër trafikun e automjeteve pas mbylljes së rrugës Librazhd – Përrenjas. Gjatë ndalesës së tij në pikën kufitare të Bllatës, që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut, Beja tha se aktualisht qarkullimi i automjeteve po vijon normalisht nëpërmjet kësaj pike doganore. Automjetet futen nëpërmjet doganës së Qaf Thanës dhe më pas vijnë nëpërmjet Maqedonisë së Veriut në doganën e Bllatës në Dibër për të kaluar nëpërmjet rrugës së Arbrit drejt Tiranës apo destinacioneve të tjera. Nga Bllata, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Besmir Beja lajmëroi edhe një investim prej 1.7 milion euro në këtë pikë doganore, e cila për shkak të rrugës së Arbrit ka njohur rritje të fluksit të lëvizjes. Ky investim sipas tij do të konsistojë në rritjen e kapaciteve njerëzore, shtimin e zyrave dhe asfaltimin e rrugës mes dy pikave doganore. Ndërkohë, drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë konfirmojnë se udhëtimi i tyre ka vijuar normalisht e pa pengesa nëpërmjet pikës doganore të Bllatës në Dibër. Për shkak të shembjes së rrugës Librazhd – Përrenjas, autoritetet shqiptare kanë ndryshuar itinerarin e qarkullimit të automjeteve, kryesisht të tonazhit të rëndë, nëpërmjet pikës doganore në Bllatë të Dibrës, për të hyrë në vendin tonë.