Drafti i Kodit të Ri Penal: 3 vite burg kush hap profile false me foton e tjetrit në rrjetet sociale
Ministria e Drejtësisë ka publikuar draftin e plotë për Kodin e ri Penal, ku janë parashikuar një sërë ndryshimesh ligjore. Drafti i Kodit të ri Penal në nenin 842 për “Përdorimin e paligjshëm të imazhit”, lidhur me keqpërdorimin e imazhit të një personi tjetër për të hapur një profil të rremë në rrjetet sociale apo në çdo faqe tjetër, do të dënohet me gjobë dhe me 3 vite burg.
Për këto raste, ndjekja penale fillon vetëm kur bën denoncim viktima ose avokati, dhe pushohet kur heq dorë pala e dëmtuar.
“1. Përdorimi i imazhit të një personi për të bërë njoftime ose për të hapur profile të rreme në rrjetet sociale, faqet e kontaktit ose në çdo mjet tjetër komunikimi publik, pa pëlqimin e mbajtësit të imazhit, kur i shkakton këtij të fundit gjendje ngacmimi, përndjekjeje ose poshtërimi, dënohet me gjobe ose me burgim deri ne tre vjet.
- Ndjekja penale për veprën penale fillon me ankim të viktimës ose përfaqësuesit ligjor të saj dhe pushon me heqjen dorë prej tij” – thuhet në draftin e Kodit të ri Penal.