Dosja Xoxa-Veliaj/ Ish-drejtoresha e Përgjithshme e TKOB, dëshmon në SPAK: Si kalonin paratë tek gruaja e kryetarit të Bashkisë, pa zhvilluar as

Dosja Xoxa-Veliaj/ Ish-drejtoresha e Përgjithshme e TKOB, dëshmon në SPAK: Si kalonin paratë tek gruaja e kryetarit të Bashkisë, pa zhvilluar as

Ish-drejtoresha e Përgjithshme e TKOB, Abigeila Voshtina, ka dëshmuar para Prokurorëve të SPAK për çështjen e abuzimeve të Ajola Xoxës dhe shoqatave të saj, të mbështetura fuqishëm nga ndikimi i burrit të saj, kryetar bashkie, tashmë i arrestuar.

Duke shfletuar pjesë të dosjes së SPAK që ka kaluar në GJKKO, bie në sy se Xoxa mundohej të justifikonte marrje parash dhe shlyerje shpenzimesh për aktivitete që nuk ishin bërë asnjëherë. Vjedhje të përmasave të mëdha për ngjarje që nuk realizoheshin kurrë.

Pjesë nga dëshmitë: ”Për sa i përket kompanisë ASLV, Voshtina deklaroi se është përzgjedhur me insistimin e shtetasës Ajola Xoxa, e cila pretendonte se vetëm kjo kompani mund të realizonte kërkesat teknike të Festivalit. Për të justifikuar pagesat, TKOB planifikoi disa shfaqje shtesë në kalendarin artistik, ndonëse realisht shërbimi ASLV ishte i nevojshëm vetëm për dy shfaqje. Kjo praktikë, sipas saj, u përdor për të justifikuar një shumë të madhe parash që kërkonte Ajola, dhe shumë nga aktivitetet e ASLV në këtë kuadër ishin fiktive.”

Së fundi, ajo pranoi se ”për një shfaqje të titulluar ‘Muzikë në vitet e stuhishme’, nuk ka pasur nevojë për ndriçim nga ASLV, por ajo është përfshirë në kontratë për të mbuluar shpenzimet e kërkuara nga Ajola për festivalin. Këto shpenzime ishin justifikuar si të paguara nga Ajola Xoxa dhe kërkoheshin të rikuperoheshin përmes kontratave dhe operatorëve si ASLV dhe Rametal.”

Ndërkohë, duke vijuar leximin e dëshmive, bie në sy se Xoxa jo vetëm i përdorte organizimet fiktive për të nxjerrë para, por detyronte edhe të tjerët të firmosnin. Voshtina kishte deklaruar të njëjtën gjë në dëshminë e saj, duke thënë se kishte frikë nga Veliaj, kryetar bashkie, tashmë në pranga.

Shtetasja Adela Kondakçi, ish-financierja e OJF-ve dhe studios ligjore “Partner Law” të Ajola Xoxës, që ka marrë statusin e bashkëpunëtores së prokurorisë së Posaçme, tregon detaje të tjera në lidhje me aktivitetet e Ajola Xoxës.

”Shtetasja Adela Kondakçiu deklaroi se në fillim ishte parashikuar që fondet të shpërndaheshin përmes një procedure të zakonshme prokurimi, por për shkak të afateve të shkurtra kohore, TKOB dhe Ajola, bashkë me përfaqësues të tjerë, ranë dakord që shpërndarja e buxhetit të bëhej me prokurim të drejtpërdrejtë në disa kompani të caktuara.”

”Ajo deklaroi se kompanitë e përzgjedhura ishin Rametal Shpk, e cila do të merrte një pjesë të fondit dhe më pas do të kalonte te Partner Law, dhe ASLV Shpk, e cila do të merrte një pjesë të fondit që do të kalonte më pas tek Ava Studio. Këto kompani janë përdorur për të marrë fonde nga TKOB dhe për t’i transferuar në kompani të tjera të menaxhuara nga Ajola, duke stimuluar shërbime që në fakt nuk janë kryer realisht.”