DOKTOR SALI KURTI – AKADEMIK AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE NDERON STOMATOLOGUN E MIRËNJOHUR MATJAN
Këtë fundviti 2025, Klinika “Mat Dental” u bë dëshmitare e një momenti të veçantë vlerësimi dhe nderimi, ku Doktor Sali Kurti u nderua me titullin Akademik, dhënë nga Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe Arteve. Ceremonia surprizë në prag të Vitit të Ri u zhvillua në ambientet e klinikës, në prani të gjithë stafit, nga një delegacion personalitetesh të shquara shqiptare, me në krye drejtuesin e Akademisë, profesor Skënder Kodra.
Titulli Akademik iu akordua Doktor Sali Kurtit me motivacionin “njeri i rrallë dhe shembull në biznes dhe në vlerat njerëzore”, duke vlerësuar jo vetëm kontributin e tij profesional në stomatologji, por edhe humanizmin dhe ndikimin e tij shoqëror ndër vite. Ky vlerësim konsiderohet një nder i veçantë jo vetëm për vetë doktorin, por për mbarë krahinën e Matit, pasi matjani Sali Kurti është ndër të vetmit matjanë që mban këtë titull akademik, duke u kthyer në një simbol krenarie për gjithë komunitetin.
I emocionuar, Doktor Sali Kurti ia dedikoi këtë çmim gjithë stafit të tij, duke theksuar se suksesi është rezultat i punës në grup dhe përkushtimit të përbashkët.
Në ceremoninë e dhënies së titullit morën pjesë edhe personalitete të njohura si shkrimtari Halil Rama, gazetari Defrim Methasani, profesor Arjan Hamiti dhe profesor Astrit Memia, duke e bërë edhe më domethënës këtë moment.
Ky vlerësim akademik i shtohet një sërë titujsh dhe nderimesh të rëndësishme që Doktor Sali Kurti ka marrë ndër vite për kontributin e tij profesional dhe njerëzor, mes të cilëve spikat titulli “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës, dhe titulli “Qytetar Nderi”, të cilët dëshmojnë lartësinë e karrierës së tij të vlerësuar për humanizmin, etikën dhe përkushtimin ndaj komunitetit. Marrja e titullit Akademik i Akademisë Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe Arteve, për Dr. Sali Kurtin, përbën një kulmim të këtij rrugëtimi dhe një nder jo vetëm personal, por krenari për gjithë Matin dhe matjanët.