Dita Ndërkombëtare e Maleve, kalon në “heshtje”

Dita Ndërkombëtare e Maleve, kalon në “heshtje”

Në Shqipëri janë llogaritur të jenë 66 male me lartësi mbi 1500 metra (me majën e Korabit që është mali më i lartë 2764 m) gjë që e bën vendin tonë një vend shumë të pasur me masive malore dhe maja malesh.

Një pjesë e tyre janë nën menaxhimin e zonave të mbrojtura si pjesë e Parqeve Kombëtare dhe Rezervateve Natyrore kurse pjesa tjetër janë në menaxhimin e bashkive si pjesë e fondit pyjor kullosor. Ato zotërojnë një larmi të madhe bimësh e kafshësh si dhe ndoshta shume lloje bimësh që rriten në lartësi të mëdha që presin të zbulohen akoma.

11 Dhjetori është shpallur që prej vitit 2002 si Dita Ndërkombëtare e Maleve dhe vë në dukje nevojën e ndërgjegjësimit të vazhdueshëm mbi rëndësinë e maleve si dhe zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit të tyre për të ruajtur cilësinë e jetës së njerezve.

Por ndonëse kanë një rëndësi kaq të madhe edhe në vendin tonë, kjo ditë u kalua totalisht në heshtje pa asnjë aktivitet ndërgjegjësues. Malet tona janë vazhdimisht të kërcënuara nga zjarret gjatë muajve të verës, por edhe të prerjes së paligjshme të pemëve.

Prej vitesh mungon një plan kombëtar apo lokal për rivitalizimin e masiveve pyjore që u prenë nga dora e njeriut apo u dogjën nga qindra zjarre që shfaqen çdo verë.