Dita e Verës në Mat e Bulqizë, jo si vitet e kaluara
Festa zyrtare e Ditës së Verës në Mat është përkujtuar nga përfaqësues të Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale, në kuadër të programit për rite, zakone dhe festa lokale. Ata zbritën në Mat dhe improvizuan në fshatin Batër ritualin tradicional të daulinave, si simbol i largimit të dimrit dhe ardhjes së pranverës. Në aktivitet morën pjesë fëmijë dhe të rinj nga Qendra Kulturore e Fëmijëve “Ymer Neli” Mat, si dhe banorë të zonës. Ndërsa në Bulqizë Dita e Verës këtë vit ka kaluar disi e vakët. Vitet e kaluara zona në Qafën e Buallit tejmbushej me qytetarë që vinin kryesisht nga qyteti i Bulqizës dhe zonat përrreth për të shijuar gjelbërimin e natyrës, por këtë vit, e gjithë zona është thuajse bosh. Këtë Ditë Vere kanë qenë të pakta ata familje të cilat kanë vijuar traditën për ta kaluar gjithë së bashku në natyrë. Ata kanë zgjedhur livadhet në anën e fshatit Plan i Bardhë. Sipas tyre, çdo vit e më pak po pakësohen banorët që dikur bënin piknik në natyrë në Ditën e Verës. Shkak, sipas tyre, mbetet largimi masiv i banorëve dhe ekonomia jo e favorshme familjare. 14 Marsi, Dita e Verës, është festa e lashtë pagane që festohet në gjithë Shqipërinë. Në këtë ditë janë fëmijët ata që e përjetojnë më shumë këtë ritual, duke i dhënë festës edhe më shumë ngjyra dhe gjallëri.