Dita e Verës: Elbasani, Zemra e Festimeve me Shije Ballokumesh dhe Tradita të Lashta

Dita e Verës: Elbasani, Zemra e Festimeve me Shije Ballokumesh dhe Tradita të Lashta

Dita e Verës, një festë me origjinë të thellë pagane dhe shumë më e hershme se krishterimi, kremtohet me entuziazëm të madh në të gjithë zonën e Elbasanit dhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Kjo ditë shënon ringjalljen e natyrës dhe mirëseardhjen e stinës së ngrohtë.

Kryeqendra e kësaj feste të lashtë është pa dyshim Elbasani, i cili kthehet në një vatër festimesh me aktivitete të larmishme. Nga ekskursionet në natyrë, te drekat e begatshme familjare, Elbasani pulson me gëzim dhe traditë. Simboli kulmor i këtij festimi është gatimi i ballokumeve, ëmbëlsira tradicionale që gatuhen ekskluzivisht në këtë ditë.

Zanafillën Dita e Verës e ka në faltoren e Zana e Çermenikës, e vendosur në rrethinat e Elbasanit. Kjo faltore i ishte kushtuar perëndeshës së gjuetisë, pyjeve dhe mbarë natyrës. Sipas gojëdhënës, zana dilte nga faltorja e saj çdo ditë të 14 marsit, duke shënuar kështu edhe fillimin e festimeve. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore sot identifikon vetë qytetin e Elbasanit, ku aroma ndjellëse e ballokumeve pushton rrugët dhe shtëpitë.

Ballokumet, të gatuara me miell misri të situr mirë, gjalpë bio dhe sheqer të imët, janë jo vetëm një ëmbëlsirë, por një simbol i kësaj feste. Veçanëria e tyre qëndron në faktin se gatuhen vetëm në këtë ditë të shënuar, duke i bërë ato edhe më të çmuara.

Një tjetër detaj i veçantë i Ditës së Verës është vendosja e “verores”, një byzylyk i thurur me fije të bardha e të kuqe, që lidhet në kyçin e dorës. Kjo zgjidhet vetëm kur të shihet dallëndyshja e parë. Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh, kryesisht dafinash, me besimin se dallëndyshet do t'i marrin dhe do të sjellin mbarësi.

Kjo ditë festohet edhe në disa zona të Kosovës, si në rajonin e Prizrenit, të Zhurit, Vërrinit, përfshirë krahinën e Opojës në malet e Sharrit. Megjithatë, ndryshe nga Shqipëria, në Kosovë festimet janë ruajtur tradicionalisht nga populli pa organizime institucionale, me përjashtim të Prizrenit ku Dita e Verës është festë zyrtare sipas vendimit të Kuvendit të Komunës.

Me rastin e Ditës së Verës, aktivitete të shumta dhe festive organizohen në të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke mbajtur gjallë një traditë shekullore që feston natyrën dhe jetën.