Dita e 13 e kërkimeve për Jurgen Karajn, ende asnjë gjurmë

Dita e 13 e kërkimeve për Jurgen Karajn, ende asnjë gjurmë
As në ditën e 13 të kërkimeve nuk ka asnjë shenjë për gjetjen e trupit të Jurgen Karajt, i cili dyshohet se u rrëmbye nga rrjedha e fortë e ujit të zallit të Darsit në orët e para të datës 10 Janar. Gjatë gjithë këtyre ditëve është kontrolluar disa herë shtrati i lumit Mat që nga qyteti i Klosit e deri në liqenin e Ulzës. Kërkimet janë bërë në forma të ndryshme, në këmbë, me pajisje dhe me zhytje të palombarëve kur është dyshuar për sheja të tijë në zona të ndryshme. Fatkeqësisht deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e Jurgenit, ndërsa në terren ndodhen forcat e Armatosura, të Shërbimit Zjarrfikës të Bashkisë Klos, familjarë e vullnetarë të tjerë. Gjatë kësaj të enjteje, kërkime janë bërë edhe në shtratin e liqenit të Ulzës teksa dyshohet se prurjet e mëdha të ujit të datës 10 Janar mund ta kenë dërguar trupin e Jurgenit atje. Por as këto kërkime nuk patën rezultat, ndërsa familjarët presin me ankth gjetjen e 30-vjeçarit të zhdukur. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 1 e 30 minuta të datës 10 Janar, kur makina me të cilën udhëtonin 24-vjeçari Andi Losha dhe 30-vjeçari Jurgen Karaj doli nga rruga në vendin e quajtur “Ura e Halilit”, duke përfunduar në zallin e Darsit. Drejtuesi i mjetit tip Audi, Andi Losha arriti të dilte i gjallë nga uji i furishëm, ndërsa nuk dihet ende fati i Jurgenit.