Disa zona pa energji elektrike, ekipet e OSHEE në terren
Era e fortë dhe reshjet e shiut të së martës kanë krijuar probleme edhe me furnizimin me energji elektrike.
Në disa zona të Bashkisë Dibër por edhe në Mat, Klos e Bulqizë ka patur ndërprerje të rrymës për shkak të motit të keq.
Sipas OSHEE shkak për ndërprerjen kanë qenë problemi me linjat e transmetimit, por nga puna e pandërprerë e punonjësve është normalizuar pasditen e sotme furnizimi me energji elektrike.
Ndonëse situata pritet të jetë më e qetë në orët në vijim, herë herë mund të ketë shtrëngata që mund të krijojnë problematika.
Nga reshjet e shiut nuk janë raportuar probleme në furnizimin me ujë të pijshëm në të katër Bashkitë e Qarkut Dibër.
Meteorologët parashikojnë reshje me intensitet të lartë në veri, dhe pjesën tjetër të territorit reshje me intensitet mesatar. Po ashtu do të ketë stuhi të forta të erës kryesisht në gjysmën veriore të Shqipërisë, rrebeshet më të shumta në veri e zonat qendrore. Në mbrëmje intensiteti do të jetë i lartë në të gjithë territorin.
Nisur nga këto kushte, autoritetet këshillojnë qytetarët që të mos bëjnë lëvizje pa arsye të fortë në të gjitha rrugët e vendit, pasi mund të përballen me situata kritike.