Dibra ka çelur sot zyrtarisht sezonin turistik. Aktivitetet promovuese kanë nisur që në mëngjesin e sotëm ku në Bulevardin “Elez Isufi” ishin vendosur prodhuesit bujqësorë ku reklamonin produktet e tyre natyrale dhe plot shije. Stendat ishin mbushur me frutin e parë pranveror, qershinë e famshme të Dibrës, bletërritësit me mjaltin e tyre bio, artizanët me prodhimet e dorës, lëngu i famshëm i mollës natyral, por edhe gatimet tradicionale të dibrës. Panairin e vizituan Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ajo e Bujqësisë Frida Krifca dhe zv.ministrja Turizmit dhe Mjedisit Almira Xhembulla. Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Bashkisë z. Rahim Spahiu i cili edhe pse prej një muaji kryetar është fokusuar tek Turizmi, pasi Dibra ka plot atraksione turistike, mikpritje dhe kulinari.
Ministrja Belinda Balluku u shpreh se Dibra njihet së një nga zonat më të pasura me resurse turistike, ndaj ne do të tentojmë jo vetëm ta promovojmë por edhe të mbështesim turizmin në Dibër.
Në fjalën e saj ministrja e Bujqësisë Frida Krifca tha se Dibra e ka të çelur sezonin turistik, pasi pret turistë në të katër stinët. Ajo shprehu gadishmërinë për të mbështetur agroturizmin dhe agropërpunuesit me qëllim që prodhimet e famshme të Dibrës të mos ngelen pa shitur.
Më pas gjatë ditës u zhvilluan aktivitete si ekspozitë me fotografi nga vendet më të bukura të Dibrës, një dokumentar kushtuar Dibranëve, etj.