Rekamë

Bashkia Dibër ka hapur në Lurë sezonin turistik, në një nga zonat më të bukura, në vendlindjen e Dom Nikoll Kaçorrit, zv/kryeministrit të parë të Shqipërisë në kabinetin e Ismail Qemalit, si dhe e njohur kudo jo vetëm për parkun e saj kombëtar por edhe për traditat dhe ushqimet tradicionale.

Operatorë të shumtë turistikë kishin ekspozuar ofertat e tyre turistike ndërkohë që bashkia Dibër ishte kujdesur edhe për veprimtari të ndryshme kulturore dhe artistike.

Ndërsa Kreu i Bashkisë Dibër Rahim Spahiu në fjalën e tij u fokusua te turizmi, duke qenë i bindur se në bujtina, shërbimet dhe mikpritja tipike dibrane nuk do të mungojë.

I pranishëm në çeljen e sezonit turistik në Dibër ishte edhe deputeti i zonës Lavdrim Krashi, i cili, mes të tjerash u shpreh se Dibra ka shumë për tu ofruar dhe këtë sezon do të jetë më e aksesueshme falë edhe investimeve që janë kryer jo vetëm në rrugën e Arbrit, por edhe në këtë Bashki.

Në fund të këtij eventi, Grupi artistik  “Lura”  kishte përgatitur një program të pasur artistik, me këngë dhe valle me motive nga krahina e Lurës, që u ndoq me shumë interes nga të pranishëm e të ftuar.