Mera ishte fshehur në një shtëpi të braktisur në fshatin Lishan të Dibrës, ndërsa ka vendosur të vetëdorëzohet 24 orë pas ngjarjes së rëndë.
Merr fund arratia për Altin Merën. Ai është vetëdorëzuar në polici ditën e sotme, pasi në bashkëpunim më të vëllain vrau fqinjin në Dibër për shkaqe banale.
Policia njofton se Mera ishte fshehur në një shtëpi të braktisur në fshatin Lishan të Dibrës, ndërsa ka vendosur të vetëdorëzohet 24 orë pas ngjarjes së rëndë. Vëllai i tij, Muhamet Mera përfundoi në pranga fill pas ngjarjes së rëndë.
Njoftimi i policisë Dibër:
Vihet në pranga personi i shpallur në kërkim policor ditën e djeshme, si bashkautor në vrasjen me armë të shtetasit XH.K.
Si rezultat i kontrollit të pandërprerë dhe krehjes së zonës nga strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, për kapjen e bashkautorit të vrasjes së 50-vjeçarit, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme, në orët e para të mëngjesit të sotëm, shtetasi A. M., në pamundësi për të qëndruar i fshehur dhe për t’u larguar, iu është vetëdorëzuar forcave të Policisë.
Ky shtetas qëndronte prej ditës së djeshme i fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Lishan dhe në pamundësi për t’u larguar, ka dalë nga banesa dhe është vetëdorëzuar para shërbimeve policore që po kryenin kontroll në atë zonë.
Nga hetimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të DVP Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, dyshohet se dy vëllezërit, shtetasit M. M., i arrestuar nga Policia menjëherë pas ngjarjes dhe shtetasi A. M., në vendin e quajtur “Kryqëzimi i lagjes Koneshe”, Njësia Administrative Luzni, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri automatik shtetasin Xh. K., 50 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra humbi jetën në spital.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Si ndodhi vrasja ?
Xhetan Konesha, 50 vjeç, banues në fshatin Luzni të Dibrës është ekzekutuar me kallashnikov ditën e djeshme në fshatin ku banonte viktima. Konesha është ekzekutuar në sy të vajzës së tij adoleshente.
Ai, bashkë me të bijën, 18-vjeçare, po hipnin në furgon për të ikur drejt qytetit, në momntin që iu pre rruga nga dy vëllezërit Mera, të cilët janë edhe autorët e krimit të rëndë. Adoleshentja pa me sytë e saj se Muhamet dhe Altin Mera bënë gati kallashnikovin dhe qëlluan drejt babait të saj.
Xhetan Konesha u dërgua në spital, por ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.