Dibër / Shkolla e fshatit Begjunec rrezikon jetën e fëmijëve
Banorët e fshatit Begjunec në Njësinë Administrative Melan në Bashkinë Dibër po rrezikojnë jetën nga godina e amortizuar e shkollës në mes të fshatit. Objekti ka funksionuar si shkollë e ciklit parauniversitar deri para pak vitesh, ndërsa tashmë ajo është kthyer në një objekt të rrënuar që rrezikon jetën e banorëve e kryesisht të fëmijëve që luajnë rrotull saj. Banorët e fshatit Begjunec thonë se prej 30 vitesh i kanë kërkuar pushtetit vendor, dikur komunës Melan e që prej vitit 2015 Bashkisë Dibër ta shembë objektin totalisht dh eta kthejë hapsirën aty çlodhëse për ta, por deri tani nuk është bërë asgjë.
Kryetari i fshatit Begjunec, Elez Roshi thotë se objekti ka rrezikuar jetën e fëmijëve, ku një prej tyre e ka dërguar vetë në spital pasi u dëmtua teksa luante afër shkollës. Ai shprehet se me dhjetra kërkesa ka bërë në Bashki, por deri sot askush nuk i ka marrë parasysh.
Banorët e këtij fshati shpresojnë që pushteti vendor të reagojë dhe të shembë këtë objekt të rrezikshëm i cili ndodhet mes banesave të tyre.