Lavdrim Kaleci, Eduart Torba dhe Ahmet Torba janë arrestuar ditën e sotme pas finalizimit të operacionit të koduar “Deepened”.
Tri të arrestuarit plagosën rëndë 60-vjeçarin, ngjarje kjo e ndodhur në qershor të vitit 2022, që më pas humbi jetën në spital.
Por Si ndodhi ngjarja:
60-vjeçari u plagos rëndë dhe humbi jetën në spital, por fillimisht u raportua se ishte rrëzuar nga mjeti aksidentalisht dhe ishte plagosur, plagë të cilat i sollën dhe vdekjen më vonë në spital.
Nga hetimet e thelluara policia zbuloi se 60-vjeçari Nuri Basha nuk u rrëzua aksidentalisht, por u plagos pas një konflikti të çastit për motive të dobëta.
Policia zbuloi se me datën 26 qershor në lagjen “Kamen” pranë një lokali 50-vjeçari Osman Torba ka shtyrë shtetasin Nuri Basha, i cili është rrëzuar në tokë duke marrë dëmtime të rënda.
Megjithëse ai është dërguar në spitalin rajonal Dibër, me datë 28 qershor, Nuri Basha ka ndërruar jetë.
NJOFTIMI I POLICISË
Zbardhja e ngjarjes, si rezultat i hetimeve të thelluara, të zhvilluara nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër.
Ekzekutohen masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, për 3 shtetas të cilët ishin nën hetim, për këtë ngjarje, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit, të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, si rezultat i një pune hetimore të pandërprerë, në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të një ngjarjeje të ndodhur në qershor të vitit 2022, në fushën e krimeve kundër personit, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Deepened”, si rezultat i të cilit u bë ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:
E. T., 49 vjeç, A. T., 64 vjeç dhe L. K., 53 vjeç, të tre banues në Peshkopi.
Nga tërësia e hetimeve të thelluara dyshohet se më datë 26.06.2022, në lagjen “Kamen”, Peshkopi, pranë lokalit të shtetasit L. K., pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi E. T., në bashkëpunim me shtetasit A. T., L. K. dhe O. T. (i arrestuar më parë), kanë plagosur rëndë 60-vjeçarin N. B., i cili si pasojë e dëmtimeve të marra humbi jetën në spital, dy ditë pas ngjarjes.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër ka urdhëruar ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, e cila ka caktuar për secilin nga këta shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.