Ndryshimet e shpeshta dhe në nivele shumë ekstreme të temperaturave kanë bërë që në spitalin Rajonal të Dibrës të shtohen rastet e fëmijëve të prekur nga sëmundjet e rrugëve respiratore. Mjeku pediatër pranë këtij spitali Filip Cfarku thotë se rastet e fëmijëve kanë qenë të shumta ndërsa fëmijët e grupmoshës deri në 0.6 vjeç kanë rezultuar të prekur nga infeksioni Pertus apo siç njihet në gjuhën popullore “Kolla e mirë”. Cfarku shprehet se për asnjë arsye nuk duhet të jepet antibiotik për këtë lloj kolli por vetëm mjekim qetësues.
Nga ana tjetër, mjeku pediatër pranë spitalit Rajonal të Dibrës Filip Cfarku thotë se nuk ka patur asnjë rast me fruth, por që ka një shtim të rasteve të Variçelës apo siç njihet ndryshe “lija e dhenve”. Edhe në këtë rast, mjeku pediatër këshillon që të mos përdoren antibiotikë por të ndiqet metoda qetësuese deri në kalimin e sëmundjes.
Me gjithë rastet e shtuara të të prekurve nga virozat stinore apo variçela, situata në pediatrinë e spitalit Rajonal Dibër mbetet normale, sa i përket shtrimeve të fëmijëve për tu trajtuar në regjim spitalor.