Rekamë

Prokuroria e Dibrës ka pushuar hetimet në ngarkim të disa minatorëve të akuzuar si organizatorë dhe pjesëmarrës në tubime të paligjshme. Bëhet fjalë për Drejtuesit dhe anëtarët e Këshillit Sindikal të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. këtë fakt e ka bërë të ditur vetë sindikata në një deklaratë për mediat, duke i bashkangjitur edhe vendimin e prokurorisë së dibrës për mosfillimin e kallëzimit penal ndaj kryetarit të sindikatës Elton Debreshi e 6 personave të tjerë.
“Protesta e minatorëve ka qenë e ligjshme!
Më 4 dhjetor 2019, pas një kallëzimi banal të bërë nga kompania Albchrome në bashkëpunim me policinë, Prokuroria e Dibrës nisi hetimet për procedim të mundshëm penal ndaj disa drejtuesve të sindikatës sonë dhe minatorëve të thjeshtë që protestonin në mënyrë paqësore para minierës.
Pas hetimit gati 1-mujor, më datë 30 dhjetor 2019 Prokuroria e Dibrës ka dalë në përfundimin për të mos nisur kallëzimin penal ndaj sindikalistëve, duke e quajtur të padrejtë dhe të pabazë ligjërisht kërkesën nga denoncuesit” – thuhet në deklaratën e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës!
Ndërkohë Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, paralajmëron se do të vijojë aksionet e saj.