Rekamë

Rreth 80 nxënës të fshatit Kllobçisht, në Njësinë Administrative Maqellarë në Dibër, kanë braktisur këtë të martë procesin mësimor. Shkak për këtë është bërë një vendim për mbylljen e shkollës në fshatin Kllobçisht dhe transferimin e nxënësve në fshatin Kërçisht. Prindërit e nxënësve zhvilluan një protestë tek shkolla e fshatit ku deklaruan se refuzojnë këtë lëvizje të fëmijëve të kërkuar nga Zyra Vendore Arsimore Dibër. Ata shprehen se nuk mund të lejojnë që fëmijët e klasës së parë të transferohen atje përsa kohë shkolla në Kllobçisht ofron të gjitha kushtet për të mësuar si dhe është numri i nevojshëm i nxënësve për ta mbajtur hapur. Komuniteti i prindërve të Kllobçishtit i kërkojnë autoriteteve të tërheqin vendimin, pasi në të kundërtën bojkotimi i mësimit nga fëmijët e tyre do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Prindërit e nxënësve të fshatit Kllobçisht kërkojnë që shkolla të vazhdojë të qëndrojë funksionale për shkak se ai është fshati që ka numrin me të madh të nxënësve. Por nëse kërkohet të bashkohen me patjetër, duhet të vijnë nxënësit Kërçishtit të mësojnë në shkollën e fshatit Kllobçisht.