Dibër / Policia Rrugore forcon kontrollet për rritjen e sigurisë në rrugë

Me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve, Policia Rrugore e Dibrës ka shtuar prezencën dhe kontrollet në të gjitha akset e qarkut. Monitorimi po kryhet si nga ajri, me dronë, ashtu edhe nga toka, me patrulla të loguara dhe të paloguara, duke përdorur teknologji të avancuar për identifikimin e shkeljeve.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë javës së parë të muajit gusht, është proceduar penalisht një drejtues automjeti për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, ndërsa janë vendosur gjithsej 469 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Shkeljet më të shpeshta janë 119 raste të parakalimeve të gabuara, 138 masa për ndalim apo qëndrim të gabuar, 142 masa për shkelje të tjera, 37 për mosvendosje të rripit të sigurimit, 16 për mos përdorim të kaskës mbrojtëse, si dhe gjoba për mosdhënie përparësie këmbësorëve, drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, përdorim celulari gjatë drejtimit dhe xhama të errësuar në mënyrë të paligjshme.

Policia thekson se kontrollet janë të përditshme dhe mbulojnë rrugët urbane, interurbane dhe rurale, me qëllim ndëshkimin e çdo shkeljeje që rrezikon jetën dhe rendin rrugor.

Në fund, Policia Rrugore e Dibrës u bën apel qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit, duke shmangur veprimet e rrezikshme si parakalimet e gabuara, përdorimin e celularit gjatë drejtimit dhe drejtimin e mjetit nën ndikimin e alkoolit.