Qarku Dibër është tashmë me 18 raste aktive të të prekurish nga Covid-19. Këtë të premte këtij qarku ju shtua një rast i ri i cili është në Bashikinë e Dibrës. Por efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër vijojnë kontrollet të pandërprera për respektimin e vetëkarantimit nga personat e prekur me COVID-19.

Strukturat e Policisë disponojnë listat e përditësuara me emrat e personave të prekur dhe rastet e reja. Në orare të ndryshme gjatë ditës dhe mbrëmjes, shërbimet e Policisë ushtrojnë kontrolle në banesat e këtyre shtetasve.

Gjithashtu kontrollet kanë vijuar dhe në biznese, lokale, markete e tregje të qarkut të Dibrës, për zbatimin e protokolleve të sigurisë për masat kufizuese të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apelon për qytetarët e prekur nga COVID-19 që të mos thyejnë karantinën, të gjithë qytetarët të respektojnë rregullat e distancimit social, lokalet dhe bizneset të respektojnë protokollet e sigurisë, në mënyrë që të gjithë të kontribuojmë në mbrojtjen nga COVID-19.