
Fshati Pocest në Njësinë Administrative Maqellarë në Bashkinë e Dibrës është ndër fshatrat më piktoresk të kësaj njësie. I ndodhur në shpatin e malit, fshati ka një pamje panoramike dhe është ndër të paktët fshatra i cili është me banesa të grupuara. Por banorët e Pocestit ankohen për mungesë investimesh.
Sipas tyre, ndonëse fshati duhej të ishte turistik, aty mungojnë shërbimet më bazike, sidomos infrastruktura rrugore. Ata shprehen se uji i pijshëm ka shkuar në çdo familje, por mungon ai vaditës, megjithëse mali ka burime të mëdha që mund të shfrytëzohen për sektorin e bujqësisë. Për shkak të mungesës së investimeve afatgjata, shumë prej banorëve e kanë braktisur fshatin, duke ikur në qytete të tjera të Shqipërisë apo jashtë vendit.
Fshati Pocest ndodhet vetëm 2 kilometra larg qendrës së Maqellarës apo rrugës nacionale Peshkopi – Tiranë dhe jo shumë larg doganës së Bllatës që e lidh këtë zonë me Maqedoninë e Veriut.