Pas afro tre javësh përpjekjesh për të gjetur 49 vjeçarin Tofik Xhika nga Njësia Administrative Fushë Alije në Dibër, janë pezulluar kërkimet në ujërat e lumit Drin i Zi. Specialistët e repartit RENEA kanë kërkuar edhe dy ditë të tjera në zonën ku mendohet se Xhika ka rënë në ujërat e lumit teksa kishte dalë për të peshkuar me 26 Dhjetor të vitit të kaluar. Ndonëse kushtet ishin të përshtatshme për të kërkuar, polumbarët e reneas nuk kanë mund të gjejnë asnjë shenjë të Tofik Xhikës në thellësi të ujit apo anash lumit. Pa reshtur kanë kërkuar edhe familjarët si dhe bashkëfshatarët e Tofik Xhikës në vijën lumore nga fshati Fushë Alije deri në Skavicë në kufi me Bashkinë e Kukësit. Por edhe përpjekjet e tyre nuk kanë dhënë rezultat pasi nuk kanë mundur dot të gjejnë asnjë shenjë prej tij. Tofik Xhika kishte lënë mjetin e tij pranë lokalit të fshatit dhe i është drejtuar bregut të lumit Drin i Zi për të peshkuar, ashtu siç bënte shpesh. Por moskthimi i tij në shtëpi bëri që familja të kërkonte ndihmë. Në breg të lumit janë gjetur vetëm një palë këpucë që mendohet të jenë të Tofik Xhikës e asnjë shenjë tjetër. Dyshohet që Xhika të ketë rënë në ujërat e lumit e të jetë rëmbyer nga rrjedha e tij.