Pasi rezultuan të pasuksesshme kërkimet prej më shumë se dy javësh në malin e Korabit por edhe në anën e Maqedonisë së Veriut, janë ndërprerë përfubndimisht kërkimet për 18 vjeçarin Ardian Pali nga fshati Dipjakë i Njësisë Administrative Sllovë në Bashkinë e Dibrës.

Burime pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër thanë për Mat Televizion se janë ndërprerë përfundimisht kërkimet e autoriteteve shqiptare e atyre maqedonase në terrenin ku mendohet të gjendej 18 vjeçari.
Ndërkohë policia e ka futur atë në listën e personave të humbur dhe po bashkëpunon me policitë fqinje si ajo e Maqedonisë së Veriut dhe ajo e Kosovës, pasi ka patur informacione kontradiktore nga qytetarët duke deklaruar se e kanë parë në disa vende.

Megjithatë, policia nuk përjashton as mundësinë që i riu të jetë rrëzuar në shkëmbinj në bjeshkët e Korabit kur ai kishte dalë për të mbledhur bimë medicinale.
18 vjeçari Ardian Pali u shpall i zhdukur nga familjarët e tij që me datë 20 Maj. Prej ditësh më shumë se 100 banorë të Sllovës kërkuan në malin e Korabit por nuk u gjet asnjë shenjë e tij.