
Vendi ynë është i pasur përsa i përket bimëve medicinal të egra. Bjeshkët janë pasuri e madhe për banorët që jetojnë pranë tyre të cilët i shfrytëzojnë. Një nga ata është edhe Gjuri Selimi, banor i fshatit Gramë në Dibër. Gjuriu thotë se gjithë sezonin veror e kalon duke mbledhur bimë medicinale në malin e Gramës. Veç luleve apo bimëve të ndryshme, Gjuri Selimi mbledh edhe boronicën e egër, një frut ky i shumëkërkuar për shkak të vetive të shumta kurative për trupin e njeriut. Pasi ka arritur të mbledhë një sasi të konsiderueshme, gjuri Selimi i drejtohet qytetit të Peshkopisë ku dhe e shet. Një kilogramë boronicë e egër kushton deri në 800 lekë të rinj, ndryshe nga viti i kaluar që është shitur me 500 lekë të rinj. Sipas Selimit, në fshatin e Gramës të gjithë merren me bimë medicinale, madje ka edhe emigrant të rikthyer.
Ashtu si çdo kulturë tjetër bujqësore, shirat e pranverës dhe temperaturat e pafavorshme kanë dëmtuar edhe bimësinë e egër, duke bërë që këtë vit të ketë më pak prodhim.
Boronica është ndër frutat e egra më të kërkuara nga qytetarët. Ajo konsumohet e njomë, por edhe e thatë në formë çaji.