DIBËR / GJYKATA JEP VENDIMIN PËR SHTETASIN H.S. QË PLAGOSI NËNËN E TIJ

DIBËR / GJYKATA JEP VENDIMIN PËR SHTETASIN H.S. QË PLAGOSI NËNËN E TIJ
Një ngjarje e rëndë tronditi komunitetin e Maqellarës në Dibër të shtunën, më 2 gusht, ku rreth orës 13:00, një 25-vjeçar, me inicialet H.S., goditi me thikë nënën e tij, N.S., 48 vjeçe, brenda banesës së tyre. E plagosura, e cila mban detyrën e drejtoreshës së shkollës 9-vjeçare në Pocest, pësoi shtatë goditje me mjet prerës dhe u transportua në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë. Sipas burimeve, i riu, i cili kishte përfunduar arsimin e lartë por ishte i papunë, vuante nga izolimi dhe nivele të larta stresi. Këto probleme të shëndetit mendor dyshohet se qëndrojnë pas agresivitetit të tij ndaj nënës. Në vijim të hetimeve dhe interesimit të lartë publik mbi këtë ngjarje, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, vendosi të martën, të vlerësojë të ligjshëm arrestin në flagrancë të shtetasit H.S., i dyshuar për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88/2 i Kodit Penal. Gjykata vendosi gjithashtu caktimin e masës së sigurimit personal “Shtrimi i përkohshëm në një spital psikiatrik” për H.S., duke marrë parasysh gjendjen e tij të dyshuar psikike në momentin e kryerjes së krimit. Prokuroria e Dibrës është ngarkuar për zbatimin e këtij vendimi, ndërsa pala mbrojtëse ka të drejtën e ankimimit brenda pesë ditëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Ndërkohë, gjendja shëndetësore e të plagosurës vijon të monitorohet nga mjekët në Tiranë, ndërsa Policia vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike që ka tronditur opinionin publik.