
Policia e Dibrës në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorinë e Rrethit Dibër, finalizuan operacionin policor të koduar “Smuggling” (Kontrabanda), duke vënë në pranga katër shtetas, Ahmet Meslima, 23 vjeç, me origjinë nga Siria, i cili kishte rolin e organizatorit në këtë veprimtari kriminale, Durim Domi, 39 vjeç, banues në Tiranë, kishte rolin e ndihmësit të grupit për transfertën të pagesës, Artemisa Ahmataj, 20 vjeçe dhe Jesmira Korhysa, 26 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë. Janë shpallur në kërkim dy shtetas sirian të cilët siguronin mjetet e transportit dhe i shoqëronin bashkëkombasit e tyre. Gjatë operacionit, këta shtetas janë kapur në flagrancë në një hotel, gati për të transportuar 5 shtetas sirianë.
Nga hetimet e kryera dhe provat e grumbulluara ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, organizonin kalimin e shtetasve me origjinë siriane, nga Turqia nëpërmjet Greqisë, futjen në territorin shqiptar, strehimin e tyre në hotele të ndryshme në Tiranë, transportimin e tyre, duke ndjekur rrugën e Arbrit në drejtim të qytetit të Peshkopisë, me qëllim kalimin e tyre për në Kosovë, Serbi dhe Hungari.
Shuma e parave që çdo emigrant i paligjshëm paguante varionte nga 4000 deri në 6000 euro, të cilat i kryenin nëpërmjet kompanive për shërbimet e transfertave të parave. Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 automjete, një laptop, 12 telefona celularë, 1000 euro dhe 5 pasaporta.