Dibër / Çmimi i lartë i naftës, zetori fiket në arë, fermerët në kushtet e ekzistencës

Dibër / Çmimi i lartë i naftës, zetori fiket në arë, fermerët në kushtet e ekzistencës

Rritja drastike e çmimit të naftës në vendin tonë ka vënë në vështirësi të mëdha fermerët dhe bujqit e vendit tonë. Përballë sfidës së çmimit të lartë të naftës janë vënë edhe ata që kanë mjete agregate. Jo vetëm që këta të fundit nuk po punojnë këtë vit për fermerët e tjerë, por as për vete nuk po munden t’i ndezin më makineritë bujqësore. Zetorët fiken në ara për shkak se çmimi i naftës është i papërballueshëm për ta marrë me sasi të mjaftueshme. Siç duket nga pamjet, zetorët kanë mbetur në mes të arës teksa drejtuesit e tyre detyrohen të shkojnë të marrin naftë me bidon për të përfunduar punën e nisur. Qerim Fisniku nga fshati Trenë i Dibrës thotë se ky vit është shumë i vështirë për të gjithë fermerët. Nëse vitet e kaluara ai ka punuar tokat e banorëve të tjerë të fshatit me mjetin e tij agregat, këtë vit ka punuar vetëm tokën e tij, por duke e llogaritur sasinë e naftës në limit. Ai e quan të padrejtë çmimin e naftës për fermerët. Fermeri Qerim Fisniku thotë se ka lënë emigrimin për t’ju përkushtuar bujqësisë në vendlindjen e tij, por për këtë është mjaft skeptik. Fermerët vijojnë të kërkojnë përjashtimin e taksave nga karburanti, pasi vetëm në këtë mënyrë ndihmohen për ta mbajtur bujqësinë aktive.