Dibër, banorët braktisin fshatin për 2.2 kilometra rrugë të paasfaltuar

Dibër, banorët braktisin fshatin për 2.2 kilometra rrugë të paasfaltuar

Në Dibër, 2.2 kilometra rrugë e paasfaltuar, nga fshati Pocest deri në fshatin Popinar që kanë bërë që banorët e këtij të fundit ta braktisin fshatin. Shumë prej të rinjëve të fshatit janë larguar në emigracion për shkak të pamundësive që kanë në fshatin e tyre të lindjes, ndërsa shprehen të gatshëm për tu rikthyer nëse rruga e tyre asfaltohet. Ata shprehen se gjatë muajve të dimrit e kanë thuajse të pamundur të lëvizin nga fshati për shkak të rrugës së keqe dhe të vështirë. Madje ata shtojnë se as fëmijët nuk i dërgojnë dot në shkollën e Pocestit për mungesë të kalimit në rrugë e cila bëhet shumë e rrezikshme nga prania e akullit dhe dëborës që qëndron gjatë. Për të gjithë nevojat shëndetësore është vetëm një fuoristradë në fshat që mundohet t’ju shërbejë gjithë banorëve, ndërsa për ushqime shkojnë në këmbë deri në Maqellarë. Banorët e fshatit Popinar thonë se janë mashtruar në këto 35 vite dhe se askush nuk ka bërë asgjë për fshatin e tyre.

Ish-kryetari i fshatit Popinar, Urim Hamzai, thotë se ka braktisur detyrën e kryetarit të fshatit vetëm sepse kërkesat e tij ndaj Bashkisë Dibër për asfaltimin e rrugës kanë rënë në vesh të shurdhër. Hamzai shtoi se as për ndërhyrje me zhavor nuk është bërë e mundur, ndaj vendosi të lërë detyrën si kryetar fshati.

Banorët e mbetur ende në këtë fshat kërkojnë ndërhyrje emergjente në rrugën e tyre, përndryshe i pret i njëjti fat; të largohen si bashkëfshatarët e tjerë.