Dhurohen pajisje për spitalin Bashkiak Mat

Dhurohen pajisje për spitalin Bashkiak Mat

Në kuadër të projektin “Bashkë për spitalin “Xhavit Mara” Burrel, është finalizuar nisma humanitare nga Elisabeta Gjegji Shehi, një bijë matjane e cila prej vitesh jeton në Francë. Aparatura të ndryshme si dhe bazë tjetër materiale i janë dorëzuar tashmë spitalit bashkiak Mat, ku do të përdoren për nevojat e tij. Këto pajisje do të përdoren në vijim nga mjekët specialist të këtij spitali. Dorëzimi i tyre u shoqërua me një aktivitet ku morën pjesë drejtues të pushtetit vendor, stafi i spitalit bashkiak dhe donatorët. Drejtori i Spitalit Bashkiak Mat, Erion Bala falenderoi donatorët për dhurimin e këtyre pajisjeve.

I pranishëm në këtë aktivitet, Kryetari i bashkisë Mat, Agron Malaj tha se donacione të tilla janë model për të gjithë ndërsa shprehu angazhimin maksimal për të përmirësuar shërbimin ndaj pacientëve dhe kushteve spitalore.

Ndërkohë, Koordinatorja e këtij donacioni njëherësh presidente e shoqatës “Iliria” në Francë, Elisabeta Gjegji Shehi falenderoi të gjitha ata që e mbështetën në këtë projekt.

Në shenjë falenderimi për donacionin e bërë, Kryetari i Bashkisë Mat ju dha drejtuesve të shoqatave që mundësuan këtë donacion, çertifikatë mirënjohje.