Dhurata Çupi kërkon llogari për zjarrin në Komisariatin nr.5: Të thirren Drejtori i Burgjeve dhe Ministri i Brendshëm! Një i ri humbi jetën atje

0

Deputetja e PD Dhurata Çupi, ka kërkuar që ministri i Brendshëm, Avokati i Popullit dhe Drejtori i Burgjeve të japin llogari para Komisionit për Çështjet Ligjore, për zjarrin që ra në Komisariatin nr.5. Për pasojë humbi jetën një i shoqëruar për dhunë në familje, 26 vjeç, dhe u plagosën disa të tjerë.

“Ne duhet të reflektojmë dhe të mbajmë qëndrim si komision. Kërkojmë të kemi informacionin e duhur, ndaj duhet të vij në komision Avokati Popullit, Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Burgjeve dhe të na sqarojnë. Ka pasur shume raporte të Avokatit të Popullit në qershor të 2021 ka pasur edhe një muaj më parë një raport të Komitetit të Helsinkit për këtë komisariat.


Ka pasur rekomandime nga avokati i popullit janë 10 rekomandime, ku kërkohet marra e masave të nevojshme të sigurisë, marrjen e masave të menjëhershme për kamerat e sigurisë brenda komisariatit 5, marrjen e masave për pajisjen me dushe, për marrjen në pyetje të personave të shoqëruar ndaluar apo arrestuar në dhomën e intervistimit, marrjen e masave të nevojshme për sigurimin e kushteve për jetesë normale të shtetasve të ndaluar, marrjen e masave për instalimin e sistemit të ngrohjes me kaldajë, etj.

Duket qartë një pa-përgjegjshmëri e institucioneve përgjegjëse për të marrë masa ku ngjarja tragjike i vendos kapakun papërgjegjshmërisë. Ju ftoj që kërkesës tonë ti bashkëngjitet edhe kërkesa juaj ku në komisionin e ligjeve të vijnë të japin informacion, dhe gjithçka është bërë nga institucionet për të marrë masa për këto rekomandime. Është tragjike humbja e jetës së një të riu por ne nuk mund të lemë pa një përgjegjësi në mënyrë që në vazhdim të mos ndodhin ngjarje të tilla”, u shpreh Dhurata Çupi.

Kryetarja socialiste e Komisionit, Klotilda Bushka është shprehur se për këtë rast po bëhen hetime të thelluara.

“Jam informuar se vetëm hetimi i brendshëm është kryer dhe është duke u zgjeruar, por edhe organet e drejtësisë janë duke vepruar për këtë rast. Për rekomandimet, janë shqyrtuar, ka pasur përmbushje të detyrimeve , këtu nuk kërkohet as emocion dhe as nxitim, kërkohet maturitet, sinqeritet që çështjet që janë shqetësuese të trajtohen. Do të jemi në kontakt për hapat që do merren për këtë çështje”, u shpreh Bushka