
Ndryshe nga disa Dhoma Avokatie në disa qarqe të vendit, Dhoma Vendore e Avokatisë së Shqipërisë në Dibër nuk ka vendosur të vijojë bojkotin e seancave gjyqësore në Gjykatën e Dibrës dhe atë të Matit. Në të dyja këto gjykata janë zhvilluara këtë të hënë normalisht seancat gjyqësore me avokat, shumë prej të cilave ishin shtyrë javën e kaluar. Avokatët e Matit dhe të Dibrës kanë marrë pjesë në seancat e tyre të mbrojtjes, duke zbatuar vendimin e dhomës së avokatisë. Kreu i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë Dibër Ismail Uka tha se është në pritje të Këshillit Drejtues të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë që të vendosë se si do të vijojë kundërshtimi i hartës së re gjyqësore, pas kërkesës zyrtare që i është drejtuar Këshillit të Ministrave.
Ndryshe nga Dhoma e Avokatisë së Dibrës, në shumë qarqe të tjera si Korça, Shkodra e Lezha avokatët kanë vijuar bojkotin madje kanë lajmëruar edhe protest, për të kundërshtuar miratimin e hartës së re gjyqësore.