Dhjetori – muaji i mbjelljeve të pemëve. Specialistët këshilla fermerëve: konsultohuni para se të bëni kultivimin

0

Muaji dhjetor është muaji më i mirë për mbjelljen e pemëve, qofshin ato frutore apo jofrutore. Specialistët thonë se në këtë muaj mbjelljet bëhen si për drurët jofrutorë, por edhe për ato frutorë. Këshilla e tyre është që të shfrytëzohet sa më shumë ky muaj qoftë nga institucionet për të veshur malet, pemët e të cilave janë dëmtuar nga zjarri apo shkaqe të tjera, por edhe për frutorët. Specialisti i bujqësisë, Dritan Pjeçi shprehet se Mati ka nevojë që të pyllëzohet në pyjet e larta pasi ato të zonave të ulta janë rigjeneruar.

  Përsa i përket fermerëve që duan të kultivojnë pemë frutore, Pjeçi i këshillon ata të marrin fillimisht asistencë nga specialistët e fushës e më pas të sigurohen për llojin e pemës që duhet të mbjellin. Po ashtu, ai shprehet se specialistët e bujqësisë pranë bashkive, por edhe pranë Zyrave të Ekstensionit Bujqësor, janë të gatshëm për t’i ndihmuar në procesin e përzgjedhjes së pemës frutore apo analizën e tokës ku do të bëhet kultivimi.

  Nga ana tjetër, specialisti i bujqësisë Dritan Pjeçi tha se e rëndësishme është të shkohet drejt varieteteve rezistente ndaj sëmundjeve. Ai solli shembullin e varietetit të rrushit Cabernet Ava i ardhur nga Gjermania, i cili është kultivuar në lagjen “Shkorsë” të Suçit dhe që vitin e kaluar ka qenë më prodhuesi pasi i rezistoi sëmundjeve.