Rekamë

 Këshilli i Bashkisë së Dibrës nuk ka arritur të zhvillojë mbledhjen për të katërtën herë radhazi. Shkak për këtë bëhet bojkoti i më shumë se gjysmës së këshilltarëve, të cilët prej dy muajsh kanë kërkuar një mbledhje të posaçme për çështjen “Skavica” me drejtues të pushtetit vendor dhe përfaqësues të institucioneve qëndrore që kanë lidhje me projektin. Por për shkak se kjo kërkesë e tyre nuk është marrë parasysh në mbledhjet e kaluara, 1/3 e këshilltarëve ka kërkuar shkarkimin e kryetares së këshillit bashkiak Irini Shehu.

Megjithë kërkesën e bërë për ta nisur mbledhjen me mocionin e mosbesimit për shkarkimin e kryetares së këshillit bashkiak Shehu, kjo e fundit nuk e futi në rendin e ditës. Nisur nga kjo, 1/3 e këshilltarëve nuk lejuan më pas zhvillimin e mbledhjes.

Këshilli i Bashkisë Dibër është futur në një ngërç funksional prej afro dy muajsh. 16 këshilltarë kanë kërkuar një mbledhje të veçantë me kryebashkiakun e Dibrës, Rahim Spahiu, përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë etj, në lidhje me projektin për ndërtimin e hidrocentralit “Skavica”.