Rekamë

   Këshilli Bashkiak i Dibrës kishte caktuar këtë të enjte mbledhjen e radhës për muajin tetor. Në këtë mbledhje me rend dite të ngjeshur, ishin parashikuar të diskutoheshin dhe të miratoheshin një sërë vendimesh, por që mbledhja ka dështuar. Shkak është bërë mosplotësimi i numrit të nevojshëm të korumit të këshilltarëve për nisjen e mbledhjes së këshillit bashkiak, siç e përcakton rregullorja.

Këshilltarët e pranishëm thanë se kjo nuk është hera e parë që mbledhjet e këshillit bashkiak në Dibër nuk zhvillohen, ku arsyet kanë qenë që nga mos plotësimi i numrit mbi 50% i këshilltarëve e deri tek shyrja e seancave në momentet e fundit.

Në mbledhjen e kësaj të enjteje ishte parashikuar të miratohej ndihma ekonomike nëpërmjet fondit 6%, ndihmë financiare një famije në nevojë, miratim linje transport nxënësish të arsimit të 9-vjeçar, vendosje busti me emrin “Hasan Prishtina”, emërtim rrugësh e sheshesh në qytetin e Peshkopisë. Por që pavarësisht impaktit social – ekonomik që kanë një pjesë e mirë e këtyre pikave në komunitet, mbledhja e këshillit bashkiak Dibër ka dështuar.

Nuk dihet se kur do të vendoset data e radhës për të vijuar këtë mbledhje të dështuar për shkak të mungesës së kourumit të nevojshëm të këshilltarëve.