Deputeti demokrat iu drejtohet qytetarëve: Dilni mbushni sheshet, shihni Serbinë! Mos prisni magjistarin që do rrëzojë Ramën
Deputeti demokrat Tomor Alizoti u ka bërë apel qytetarëve që të sensibilizohen dhe t’i bashkohen kauzës opozitare për rrëzimin e qeverisë. Sipas tij, është absurde nëse shqiptarët presin që dikush me magji të rrëzojë regjimin dhe të sjellë demokracinë në vend, pasi rendi demokratik vjen falë një procesi ku zëri opozitar ndërthuret me nevojat dhe dëshirën e qytetarëve për ndryshim.
“Jo, jo, nuk do të presim; të gjithë ne duhet të reagojmë. Këtu nuk bëhen zgjedhjet. Këtu dalin anonim të votuar. Kujt i keni dëgjuar ndonjë fjalim politik që jeni aspiruar dhe keni thënë: do ta votoj këtë njeri? E di ç’do të thotë të marrësh 20 mijë vota? Janë 20 mijë mendje, pa pasur një ditë në politikë. Unë e shoh si mision; u bëj apel qytetarëve të unifikohemi që të rrëzojmë këtë qeveri. Unë jam i bindur që Shqipëria ka shkuar në autokraci. Duhet të mobilizohemi të ndalojmë Shqipërinë drejt një autokracie të re, të binjakëzuar me mafien.”
Ai vazhdoi duke theksuar se nëse ka njerëz që besojnë se do të vijë dikush si magjistar t’iu prodhojë demokraci, kjo nuk ndodh në realitet. “Pra, unë jam i bindur që duhet një proces që të ndodhë në shoqëri. E gjithë shoqëria nuk duhet të jetë spektatore. Nëse shohim nëpër vota që mbushen me të rregulluara, me të moshuar, kështu ndodh procesi në demokraci; nuk mund të jemi ndryshe nga bota. Kështu funksionon, rrugë tjetër s’ka.”
Alizoti theksoi se nëse opozita arrin të fitojë zemrat e njerëzve dhe të ngrejë popullin, atëherë ka fituar shoqëria. “Demokracia është një gjë që duhet ta duan dhe ta mbrojnë njerëzit. Shohim Serbinë, që non-stop ka njerëz në rrugë. Atje opozita është inekzistente fare, por ka njerëz vazhdimisht në protesta. Ky lider është problem për të gjithë Shqipërinë. Ai është kthyer në një diktator të një lloji tjetër, jo të Kinostudios Shqipëria e Re, por të Holliwood-it.”
Më tej, ai shtoi se edhe opozita duhet të reformohet dhe të ngjallë frymë tek shqiptarët. “Opozita është pjesë e shoqërisë shqiptare. Ne këtë sistem, i cili duket kaq i fuqishëm por është shumë i brishtë, mund ta përmbysim duke e refuzuar dhe duke dalë në shesh për ta kundërshtuar. Të gjithë si shoqëri, së bashku me opozitën. Opozita e ka detyrë të ndryshojë taktikën, që kauzën e zemërimit shoqëror ta kthejë në kauzë politike. Ky është një proces që duhet të ndodhë me njerëz seriozë, të pastër dhe të vërtetë.”