Një denoncim i fortë është bër sot nga Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.
Sipas tyre minatoret e Bulqizes nuk paguhen prej 3 muajsh nga Albchrome duke lene keshtu mbi 1000 punonjes ne mjerim.
Kujtojme qe kjo nuk eshte denoncim i par nga kjo sindikate ndaj kompnise se drejtuar nga Samir Mane
Postimi ne facebook i Sindikates se Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës
MINATORËT E ZONËS D NË BULQIZË, PA PAGA DHE TË HARRUAR NGA SHTETI
Prej më se tre muajsh mbi 1000 minatorë të galerive të Zonës D të minierës së Bulqizës nuk marrin pagat, duke luftuar për mbijetesë. Pa transparencë e përgjegjësi, pronarët e këtyre galerive justifikohen se nuk po arrijnë dot ta shesin kromin e mbledhur. E prapëseprapë puna vazhdon përditë, krom nxirret e transportohet njëlloj si më parë.
Askush nuk e di se ku shkon e sa shitet kromi i nxjerrë nga duart e sakatuara të minatorëve, por kuptohet lehtë se ka një problem që të pushtetshmëve të zonës nuk u intereson ta zbardhin. Bllokimi i shitjes së kromit nuk ndodh te të gjitha galeritë. Më të mëdhatë dhe të lidhurat me pushtetin vazhdojnë të shesin e t’i mbijetojnë krizës. Mos vallë po u bëhet shantazh punëtorëve që të pranojnë paga më të ulëta dhe kushte më të rrezikshme pune? Mos vallë pas shpinës së minatorëve po vazhdojnë të luhen lojëra të pista të kalimit të pronësisë nga disa duar në të tjerat?
Këtyre pyetjeve duhej t’ua jepnin përgjigjen organet shtetërore, por, siç dihet, ato vetëm për minatorët dhe njerëzit e thjeshtë nuk punojnë. Qeveria, në radhë të parë, ka detyrën e zbardhjes së situatës dhe garantimit të pagimit të punëtorëve për çdo ditë pune. Në rast falimentimi të galerive private, shteti duhet të marrë përsipër rimëkëmbjen e tyre dhe administrimin afatgjatë në interes të minatorëve dhe krejt qytetarëve të Bulqizës.
Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës është në kontakt të përditshëm me minatorë nga Zona D. Ditë pas dite po ndihmojmë në ngritjen e organizuar të zërit për të kërkuar të drejtën më elementare shoqërore: të paguhesh për djersën e ballit.
U bëjmë thirrje të gjithë minatorëve të Zonës D që t’i bashkohen përpjekjes për paga dhe punë të dinjitetshme. Pa bashkimin e të gjithë minatorëve asgjë nuk do të ndryshojë. Vetëm fuqia jonë e përbashkët – e shprehur në organizime e protesta – do t’i japë fund sorollatjes së punës pa pagë dhe jetës pa perspektivë.
Minatorët e bashkuar kanë për të fituar!