Dënimet e ashpra të Kodit Penal, Lubonja kritik: Një njeri me pushtet absolut, i rrezikshëm! Po instalohet modeli i diktaturës
Liria e shprehjes në Shqipëri rrezikohet prej ndryshimeve që qeveria bëri në Kodin Penal. Sipas analistit Fatos Lubonja, me dënimet e ashpra që parashikohen në Kodin Penal në rastet e ironisë, fyerjes e talljes me figura të larta të pushtetit, tregojnë se një njeri me pushtet absolut është i rrezikshëm. “Kanë bërë 2 meme, kulla me syzet e kuqe që imitojnë Ramën, ia çova dikujt, një ndërkombëtari që merret me median, më tha si me ironi se me ligjin e ri, kjo dënohet”, tha Lubonja. Sipas tij, reagimi i dobët jo vetëm i mediave, por dhe ai qytetar tregojnë se në Shqipëri po instalohet modeli i diktaturës.
“E keni parë ju t’i dalin kundër Berishës? Jo, duhet një më i fortë se ai, kjo është strukturë që duhet shkatërruar dhe këta shembuj e forcojnë. Po vazhdoi Rama kështu, s’keni parë gjë akoma. Ne sdo dorëzohemi, por duhet rezistencë e madhe për ta frenuar këtë lloj abuzimi të frikshëm me pushtetin dhe ajo që mund të ndodhë në një të ardhme do të jetë modeli i Enver Hoxhës që tani ka nisur. Që nga eleminimi i armiqve të partisë dhe zëvendësimi me figura tërësisht të nënshtruara”, tha analisti.
Lubonja vazhdoi: “E patë projektin e kodit penal që thotë se fyerja ose tallja e presidentit, kryeministrit dënohet me burg. Një njeri në pushtet absolut është i rrezikshëm. Po tani, unë jetoj në Itali ku imitojnë politikanët, edhe bën komikun me ta, kritikojnë në formën e tyre. Roli i medias dhe i komikut është të përdorë ironinë, e sarkazmin. Ku e ke kufirin, por sado të provosh, do ta matësh dy herë”.
Plani i Ramës është ky, sipas Lubonjës, sepse ai ka vështirësi të pranojë kritikën. “Teknikat që ka përdorur kanë qenë këto: blerja e atyre që e kritikojnë, dhe e dyta investitorët strategjikë që i shpërblen. Qarkullon shumë ajo që thotë se e ka personale me kritikët, u ka thënë njerëzve të vet se televizioni ka qenë i balancuar, tani problemi është se kjo është abuzim me pushtetin. S’mund të përdorësh pushtetin si kryeministër. Shko në gjyq nëse të ka fyer dhe zgjidhe me gjyq. Por ti do të kënaqësh sadizmin tënd”.
Këto janë gjëra që kanë deformuar edhe shqiptarët, shembulli që u jepet është se duhet të jesh i fortë, i dhunshëm që të të kenë frikë, pra në vend të ndërtojmë shoqërinë e komunikimit, lejojmë shoqërinë e dominimit me shprehje si “mbylle gojën”. “Ne kemi nevojë për një shoqëri të komunikimit se ashtu korrigjohet më mirë gjëja. Ne vijmë nga një diktaturë që përgjithësisht krijohet kulti i individit. E keni parë ju t’i dalin kundër dikujt të fortë brenda partisë? Jo, duhet një më i fortë se ai, kjo është strukturë që duhet shkatërruar”, theksoi Lubonja.