Dëmtohet shtresa e urës që lidh fshatrat Shkallë e Gurë i Bardhë me rrugën e Arbrit

Dëmtohet shtresa e urës që lidh fshatrat Shkallë e Gurë i Bardhë me rrugën e Arbrit

Shtrimi i rrugës së fshatit Gurë i Bardhë, por që përfshin edhe një pjesë të fshatit Shkallë, ka zgjidhur një problem të kahershëm për banorët e këtyre dy fshatrave. Por problem mbetet ura tip baley që ndodhet fare pranë rrugës së Arbrit dhe që përdoret çdo ditë nga qindra banorë për të kaluar mbi zallin e Murrizes. Problemi i urës vijon të jetë dëmtimi i shtresës e cila është prej dërrase. Me gjithë riparimet e herëpashershme, shtresa e dërrasës dëmtohet vazhdimisht duke krijuar jo vetëm vështirësi, por edhe rrezik për të gjithë drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë mbi të. Banorët shprehen se shtresa e kësaj ure ka qenë prej vitesh një problem shqetësues edhe para se të ndërtohej rruga e Arbrit. Ata kërkojnë që pas asfaltimit të rrugës t’i jepet një zgjidhje përfundimtare edhe urës e cila është e vetmja mundësi për të kaluar nga njëra anë e zallit në tjetrën.

Ura tip bel e cila nga banorët e zonës njihet si ura e “Spates”, është ndërtuar shumë vite më parë dhe në të nuk është bërë asnjë investim i mirëfilltë.