Dëmtimet në tunelin e Murrizit, shkak punimet në tunelin e emergjencës?!

Dëmtimet në tunelin e Murrizit, shkak punimet në tunelin e emergjencës?!
Tuneli i Murrizit një ndër veprat më të mëdha në rrugën e Arbrit që lidh Qarkun Dibër me kryeqytetin ka qenë vazhdimisht në qendër të kritikave për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e tij. Ndërkohë, në afërsi të mesit të tunelit janë konstatuar dëmtime të anës lindore të tij, kryesisht në plasaritje dhe çarje të bordurës anësore. Në lidhje me këtë problematikë, përfaqësues të kompanisë “Gjoka konstruksion” thanë për “Mat Tv” se dëmtimi i harkut lindor të tunelit ka ardhur si pasojë e punimeve që po kryhen në tunelin e emergjencës. Përfaqësuesit e kësaj kompanie u shprehën se duke qenë që distanca mes dy tuneleve është 28-30 metra, punimet kanë ndikuar në lëvizjen e harkut të tunelit. Po ashtu, sipas përfaqësuesve të kompanisë, këto dëmtime nuk kanë asnjë rrezik dhe nuk ndikojnë në qëndrueshmërinë e tunelit, pasi matet lëvizja me aparaturën e nevojshme, por që nuk ka asnjë shenjë të dëmtimit të mëtejshëm. Gjithashtu, kompania bën të ditur se me përfundimin e tunelit të emergjencës, dëmtimi i pësuar në tunelin kryesor do të riparohet dhe gjatë kësaj kohe, qarkullimi do të bëhet nëpërmjet tunelit të emergjencës. Tuneli i Murrizit ka qenë vazhdimisht në qendër të kritikave për shkak të vonesës që pati në vënien në funksion të tij, ndërkohë që faji gjithmonë ka qenë i strukturës gjeologjike të formacionit të tokës.