Zyrtarisht Prokuroria e Tiranës dhe e Durrësit kanë nisur tre hetime për sa i përket dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i mëngjesit të 26 nëntorit, ku nga shembja e disa godinave humbën jetën shumë persona.
Hetimi i parë nga Prokuroritë po kryhet për 6 godinat e shembura që nën rrënojat e tyre zunë poshtë njerëz ku shumë prej tyre nuk mundën të dalin të gjallë. Hetimi i dytë po kryhet për dëmtimin e rëndë të rreth 200 godinave që janë dëmtuar në qytetin e Durrësit, për të cilat do të hetohet e gjitha puna se si janë ndërtuar dhe personat përgjegjës. Ndërsa hetimi i tretë po kryhet për godinat e dëmtuara në kryeqytet.
Në lidhje me këtë rast që futi në zi Shqipërinë, dyshohet se pasojat e rënda në jetë njerëzish kanë ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje dhe të mos kryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe të personave të tjerë përgjegjës për mospërmbushjen e rregullt të punës.
Prokuroria në terren tek godinat e rrënuara ka marrë edhe mostrat e ndërtimit të godinave, siç janë fijet e hekurit dhe copat e betonit. Këto mostra do të analizohen në laboratorët përkatës ku do të përcaktohet edhe nëse kanë qenë në masën e duhur për të mbajtur peshën e ndërtimeve të kryera.
Në vijim të veprimeve të kryera, i kërkohet informacion Bashkisë së Tiranes e të Durrësit për banesat e evidentuara tashmë si të prekura nga tërmeti dhe të klasifikuara jo në kushtet e duhura për banim. I njëjti informacion i është kërkuar dhe strukturave të tjera shtetërore.
Konkretisht Prokuroria e Durrësit çështjen e ka regjistruar më 29 nëntor, tre ditë pas tërmetit shkatërrimtar që mori shumë jetë njerëzish. Në këtë dosje do të hetohen edhe nënpunësit shtetëror të ngarkuar me mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve. Çështja është regjistruar për veprat penale; “Ndërtim pa leje”, dhe “Shpërdorim detyre”.
Po kështu Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar kryesisht hetimet në lidhje me situatën e krijuar nga fatkeqësia natyrore. Hetimi ka si objekt sqarimin e rrethanave që kanë çuar në pasojat e ardhura. Në lidhje me këtë hetim Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka ngritur një grup hetimor.
Nga 52 viktima që la pas tërmeti i 26 nëntorit me magnitudë 6.4 i shkallës rihter, 49 prej tyre gjetën vdekjen si pasojë e inertëve që u shembën mbi trupat e tyre.