Degradohet unaza e poshtme e Bulqizës, asnjë investim prej dekadash
Unaza e poshtme e lagjes së vjetër të qytetit të Bulqizës është bërë gati e pakalueshme. Mungesa e investimeve për një kohë të gjatë e ka kthyer këtë rrugë si një rrugë fshati, pasi i gjithë asfalti që ka qenë shtruar në të, thuajse është zhdukur. Burime bëjnë me dije se ky segment rrugor është ende në inventar të Autoritetit Rrugor Shqiptar, por ky i fundit nuk ka bërë asnjë investim. E vetmja ndërhyrje që është bërë, është ajo në anën lindore ku Bashkia e Bulqizës e asfaltoi me fondet e saj. Pjesa tjetër, ka mbetur në këtë gjendje, edhe pse përgjatë aksit po funksionojnë disa biznese e të tjera shtohen. Jashtë kameras, qytetarët dhe drejtuesit e biznesve thanë se apeli i tyre ndaj institucioneve ka rënë në vesh të shurdhër dhe se deri tani nuk është marrë asnjë masë për riasfaltimin e kësaj unaze e cila i jep një frymëmarrje krejt tjetër lagjes së vjetër të qytetit të Bulqizës. Kjo unazë lidh dy skajet e lagjes së vjetër të qytetit të Bulqizës nga komisariati i policisë dhe përfundon në afërsi të rrugës që ngjitesh për tek minierat në afërsi të Qafës së Buallit.