Dëgjesa publike në Komsi, prezantohet paketa fiskale

Dëgjesa publike në Komsi, prezantohet paketa fiskale
Vijojnë dëgjesat publike në kuadër të hartimit të projekt-buxhetit të vitit 2026 të Bashkisë Mat. ndalesa e radhës e drejtuesve të Bashkisë Mat ishte me banorët e Njësisë Administrative Baz. Në këtë takim, Kryetari në Detyrë i Bashkisë Mat, Myslim Zeneli tha se prioritet në vitin e ardhshëm mbetet asfaltimi i rrugëve të fshatrave, gjë për të cilën njësia Baz ka shumë nevojë. Po ashtu, Zeneli u shpreh se do të investohet në basenin e rezervuarit të Bazit i cili është një nga veprat më kryesore të sistemit vaditës në këtë zonë. Të pranishëm në këtë dëgjesë publike të projekt-buxhetit ishin edhe kryetari i zgjedhur i Bashkisë Mat, Altin Bojni e Deputeti Agron Malaj. Në dëgjesën publike me banorët e lagjes “Pjetër Budi” të qytetit të Burrelit, Kryetari në Detyrë i Bashkisë Mat, Myslim Zeneli e vuri theksin tek investimi në godinat arsimnore siç është rikonstruksioni i shkollës 9 vjeçare “Ilia Qiqi”, por edhe në vijimin e projektit për veshjen me sistemin kapot të pallateve. Gjithashtu, do të vijojë shtrimi me pllakë i hapsirave ku ende nuk është bërë e mundur një gjë e tillë. Në dëgjesat e zhvilluara në kuadër të hartimit të projekt-buxhetit është prezantuar edhe paketa fiskale që sipas drejtuesve të Bashkisë Mat, nuk ka asnjë ndryshim nga ajo e këtij viti.