Rekamë

Që nga tuneli i Murrizit e deri tek tunelet në fshatin Shkallë të Njësisë administrative Xibër në Bashkinë e Klosit, ky segment i rrugës së Arbrit ka disa deformime të cilat po kthehen në burim aksidentesh. Problematike situata është drejt me Qendrën e Njësisë Administrative ku edhe pse deformimi është mbushur me beton, mungesa e sinjalistikës e bën kalimin e automjeteve të rrezikshëm.

Pak metra më poshtë në drejtim të fshatit Shkallë, ka shembje në anën e zallit. Siç duket nga pamjet, traseja e rrugës së asfaltuar është veçuar nga pjesa anësore me zhavor. Kjo duket qartë edhe nga largimi i mbrojtëseve metalike anësore të cilat janë edhe deformuar.

Deformim të rrugës ka edhe në pjesën pranë lagjes “Musta” në fshatin Shkallë. Më problematike situata është në afërsi të tunelit numër dy. Deformimi i rrugës pa shenja të dukshme, rrezikon që mjetet të dalin jashtë saj nëse nuk kanë kaluar më parë në këtë segment. Të gjithë drejtuesit e mjeteve përballen me këtë problematikë të paparalajmëruar, saqë në shumë raste, mjetet bëjnë kontakt të fortë më asfaltin si në rastin e këtij automjeti.

  E megjithëse kjo rrugë është ende një kantier i hapur, ekspertët rrugor shprehen se për këto problematika, detyrimisht firma duhet të vendosë sinjalistikën paralajmëruese.