Të dielën e kaluar një sindikatë e re e minatorëve u shpalos në Bulqizë. Një grup të rinjsh themeluan sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës duke thithur në gjirin e tyre dhjetra minator. Kryetar i Sindikatës u zgjodh Elton Debreshi i cili punonte pranë Albchrome. Por vetëm 5 ditë më pas ai është pushuar nga puna. Në vendimin e largimit thuhet vetëm thyerje e disiplinës në punë, por një argument të tillë e mohon Debreshi i cili thotë se arsyeja e vërtetë është të qenit kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.

Por Debreshi thotë se sindikata nuk do të ndalet edhe pse si ai pritet që të largohen nga puna edhe dy të tjerë. Kreu i sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës thotë se kushtet e punës janë mizerabël dhe gjithçka bëhet për tju mbyllur gojën. Sipas tij, trajtimi i minatorëve bëhet më keq se i një të dënuari në burg.

Nga ana tjetër është Albchrome e cila ka reaguar për Mat Televizion nëpërmjet zëdhënësit të saj Sokol Kondi. “Arsyeja e këtij shkarkimi është thyerja e disiplinës në punë dhe mungesat e pajustifikuara në vendin e punës, kjo pas paralajmërimit për shkarkim nga detyra që z. Debreshi kishte marrë për të njëjtat arsye disa muaj më parë. Ndërsa lidhur me thirrjen e disa punonjësve në Tiranë, kjo është një procedurë rutinë që bëhet kur lind nevoja për tu dhënë atyre shpjegime për të shmangur raste të thyerjes së etikës dhe disiplinës në vendin e punës – thuhet në reagimin e Albchrome.”