
Ndonëse reshjet e borës në Bashkinë e Bulqizës dhe atë të Dibrës janë ndërprerë, ndërsa kanë lënë pas vështirësi të shutma në qarkullimin e mjeteve të zonave të thella drejt qendrave urbane. Shkak është bërë sasia e madhe e dëborës dhe prania e akullit në rrugë.
Sa i takon rrugëve nacionale ajo Peshkopi – Burrel – Tiranë është lehtësisht e kalueshme dhe Klos – Tiranë përmes rrugës së Arbrit. Problem mbeten rrugët rurale për shkak të pranisë së madhe të dëborës e cila në zonat e thella shkon deri ne 80 cm. Gjithashtu në këto zona, ka ndërhyrje pushteti vendor për hapjen e rrugëve. Megjithatë situata mbetet e vështirë dhe shumë fshatra janë pa komunikim me qytetet Bulqizë e Peshkopi. Në Bashkinë Dibër, problem mbeten njësitë Lurë, Kala e Dodës, Selisht, Reç etj. Ndërsa në Bulqizë problemet më të mëdha janë në zonën e Ostrenit e Terbishtit.
Rënia e temperaturave disa gradë nën zero mbrëmjen e sotme, pritet të përkeqësojë situatën e qarkullimit të automjeteve në fshatra.