Qarku i Dibrës është përfshirë ditën e sotme nga reshje të dëborës, pas uljes së temperaturave.
Në qytetin e Peshkopisë bora ka zbardhur çatitë, rreth 3 cm, ndërsa në lartësi mbi 800 metra dhe zonat e thella malore trashësia kalon mbi 10 cm, raporton ReportTv.
Situata rrugore vijon të jetë normale, kjo për shkak se bora nuk ka zënë shtresë në trupin e rrugës.
Reshje dëbore ka pasur edhe në Rrugën e Arbrit, në bypass-in e Murrizit pasi lartësia arrin në 1260 metra, por pa krijuar probleme.
Shkollat kanë nisur rregullisht mësimin dhe nga informacionet që kemi marrë, deri tani ka lëndë drusore për ngrohje. Furnizimi me energji elektrike vijon normalisht dhe nuk janë raportuar defekte as në zona të thella.